Rudina Xhunga nis sot sezonin e ri në News24 me një tjetër emision, madje dhe mision, për t’iu rikthyer shpresën shqiptarëve. Ashtu siç e rrëfeu vetë gazetarja pak ditë më parë në ekranin e News24, sot ka startuar emisionin e ri, që nuk ka aspak lidhje me politikën, apo siç e cilësoi ajo, një emision i aktualitetit që bërtet, por është diçka krejt ndryshe.

I titulluar “Shqiptarët e mrekullueshëm”, Rudina Xhunga sjell këtë të diel në ekranin e News24 historinë e parë, që është ajo e mullixhiut Bledar Kola. Në një rrëfim të veçantë dhe shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët, ai tregon se si Shqipëria mund të bëhet.

Mullixhiu, një rrëfim për Shqipërinë që bëhet

Rudina Xhunga: Jam te Mullixhiu këtë tetor. E nisa tetorin e Shqiptarëve të Mrekullueshëm te Mullixhiu, me Bledar Kolën, sepse nuk ka më shumë shqiptar të mrekullueshëm sa ai, që ka shkruar këtu në ballë që Shqipëria do të bëhet. Shqipëria do të bëhet, po kismet. (qesh)
Bledar Kola: Me kismet nuk bëhet Shqipëria. Por në qoftë se ndalojmë kismetin dhe vazhdojmë të luftojmë çdo ditë, ka shpresë se diçka do të ndryshojë.
Rudina Xhunga: Në fakt, fabula e këtij edicioni të Shqiptarëve të Mrekullueshëm, një bashkëpunim mes Dritare me Rudinën në youtube, me Abi Bank, është kismeti. Stop kismetit! Mjaft së thëni kismet. Si themi ne Bledi? Do takohemi nesër? Kismet.

Bledar Kola: Kjo ishte një nga fjalët që më rëndonte më shumë, pesha më e madhe kur u ktheva nga Londra. Sepse nëse dëshiroja të takoja dikë, më thoshte kismet. Takohemi nesër? Kismet. Po si kismet? Duket sikur jemi të varur nga diçka që nuk është në dorën tonë.
Rudina Xhunga: Në fakt është. Vendi ku jemi nuk ka fare lidhje me “kismetin”. Sepse këtu dikur ka qenë një qoshe e harrur, buzë liqenit, që askush nuk vinte. Derisa erdhi befas Mullixhiu. E di si më duket këto ditë që kam ardhur shpesh në mëngjes që të kuptoj më shumë se çfarë ndodh këtu, më duket si një agjenci turistike. Këtu vijnë kontrollojnë, shohin libra, pyesin për kuzhinën dhe ti je gjithmonë në pritje të përgjigjesh. Madje më duket sikur po të mbaj unë tani tek intervista, sepse e ke mendjen te celulari.

Bledar Kola: Në fakt qëllimi ynë si restorant është për të ndryshuar disi atë imazhin e Shqipërisë në botë. D.m.th, kur ti të dëgjosh Shqipëri, mos të mendosh vetëm për ato gjërat e këqija që njihet Shqipëria, por të shikosh diçka krejt ndryshe. Dhe duke u bazuar te shprehja, që themi ne “Dashuria vjen nga stomaku”, ne jemi duke ecur me këtë ritëm, që nëpërmjet stomakut t’i kthejmë, të huajve dashurinë për Shqipërinë.
Rudina Xhunga: Të na njohin nga stomaku, pastaj të arrijnë te zemra.
Bledar Kola: Ky është qëllimi afatgjatë i restorantit “Mullixhiu”, për të qenë një kartëvizitë dinjitoze, e Shqipërisë nëpër botë.
Rudina Xhunga: Dhe ia ke dalë. Po shikoja, “Mullixhiu”, në gjermanisht, librin tënd që sapo është botuar në Gjermani. Ta kërkuan? Ishte një gazetare, që e kërkoi këtë gjë?

Bledar Kola: Shtëpia botuese është gjermane “Suhrkapm”. Më shkruan në 2017-ën, që: “Ne jemi të interesuar, për të bërë një libër, për restorantin.” Mua m’u duk si ëndërr. Vëllai mbante emaile-t, i thashë: “Shiko mos na e kanë nisur gabimisht.” Jo tha ka ardhur në emrin tënd. Pastaj i kontaktuam, erdhën në 2018-ën, në shtator. Në 2019-ën në shkurt, filluam duke bërë recetat dhe duke praktikuar. Janë 60 receta, të Mullixhiut.
Rudina Xhunga: 60 recetat tuaja. Qenka dhe flija. Gatuan dhe fli këtu, apo thjesht e ke përfshirë?
Bledar Kola: Jo bëjmë edhe fli këtu. Por me saç elektrik.

Rudina Xhunga: Ndërkohë është Shqipëria, nuk është vetëm gatimi yt këtu, është gjithçka.
Bledar Kola: Manuel Kruger është fotografi, Ursula Henzellmen është autorja. Ndërsa recetat janë Mullixhiu dhe historia e Mullixhiut. Është diçka krejt e thjeshtë, janë receta krejt të thjeshta që mund t’i bësh për mëngjes, hap frigoriferin dhe mund të bësh një nga këto recetat.
Rudina Xhunga: Por ndërkohë kur kjo kartëvizitë shkon në Gjermani dhe këtë e marrin ata në dorë është tjetër gjë nga ndjesia që ke këtu, ku je brenda dhe thua ky restorant e ka një libër. Të marrin në telefon, të thonë?

Bledar Kola: Ne kemi shumë shqiptarë, që na shkruajnë në Gjermani, Zvicër dhe në Austri që gjejnë librin dhe ndihen krenarë. Ka ardhur ajo kohë që, është e tepruar krenaria me Skënderbeun, dhe Nënë Terezën. Shumë bukur që janë, por në qoftë se ne bëjmë tatuazh Skënderbeun, Nënë Terezën, nuk e ndihmojmë ekonominë e vendit.

Rudina Xhunga: E bën tatuazhin dhe shkon e bën hashash pastaj atje.

Bledar Kola: Nëse ne promovojnë Shqipërinë, promovojmë kuzhinën eksportojmë produkte që janë të veçanta shqiptare dhe njerëzit e lexojnë “Shqipëria” nëpër restorante, shikojnë produkte vetëm në këtë mënyrë rrisim ekonominë. Nëse ne kemi një varëse që ka shqiponjën, edhe bëjmë kuzhinën e një vendi tjetër, nuk është patriotizëm. Patriotizëm duhet të jetë pjesa e hoteleri-turizmit, ushqimi. Sepse ne nuk prodhojmë as ora, as makina, nuk kemi industri tjetër të zhvilluar përveç saj. E kemi të vetmen që na ka ngelur për ta shfrytëzuar dhe kthyer në avantazhin tonë.

Rudina Xhunga: Mua kjo më ka ngacmuar. Në fakt te Shqiptarët e Mrekullueshëm, jam fokusuar tek ata që na bëjnë të ndihemi krenarë. Dhe më beson apo jo, vetvetiu po shkohet te kuzhina. Isha te Fredi i Rapsodisë, që me siguri është mik i yti, dhe nga Lezha, sepse jeni të gjithë nga Lezha, ju artistët, mjeshtrat e kuzhinës. Pse ka kaq shumë artistë nga Lezha, në kuzhinë, kaq shumë gatuanit ju në fëmijëri?
Bledar Kola: Ne nuk kemi pasur mundësi tjetër, kemi qenë më pak të privilegjuar nga vendet e tjera. Edhe duke pasur këtë lloj disavantazhi ne e kthyem në avantazh. Unë kam ndihmuar, mamin, s’po e bëj si Moxarti që 5 vjeç duke i rënë pianos, por kam bërë bukën në darkë, qysh në klasë të dytë, a të tretë.
Rudina Xhunga: E shikonte që e bënte ajo dhe i shkoj nga pas?

Bledar Kola: Jo e zija unë bukën çdo natë. Sitja miellin, zija bukën, bëja ato pak perime që kishim atëherë shkoja te toka, punoja domatet, kujdesesha për kafshët e imta që kishim në shtëpi, madje milja dhe delet, dhitë, lopën. Kisha qejf të bëja djathin. Nuk ishim në qytet, kam lindur në fshat, kam krijuar atë kontaktin me natyrën. Kjo eksperiencë e jetës, deri në moshën 15-vjeçare që jam larguar, më shpërben në profesionin tim që kam zgjedhur.
Rudina Xhunga: Ti kur ike, ishe i qartë që po veje për të mësuar kuzhinën, apo nuk e dije?
Bledar Kola: Realisht, kam ikur në moshë të vogël. Nuk thashë se do të bëhem kuzhinier. Kisha dy zgjedhje, të punoja pjatalarës në një vend që ishte shumë i mirë, dhe të punoja te “Fish and chips”, që kishte kontakt me njerëzit dhe ishte më interesante për mua.

Rudina Xhunga: Cilën zgjodhe ti?
Bledar Kola: Fish and Chips. Pastaj më thotë burri i tezes: “Shiko ti s’do punosh këtu, do të punosh në kuzhinë, do të lash pjata.” Pas një debati të fuqishëm me të, më vendosin me dhunë në kuzhinë, për të larë pjata. Pas nja gjashtë muajsh duke larë pjata, qëroja patatet, bëja ndonjë sandviç. Restoranti ishte japonez dhe laja orizin. Për dy vjet e gjysmë kam larë orizin për të bërë sushi. Nuk e bëja unë sushin. Pastroja bizelet që janë japoneze, bëja të gjitha punët e rëndomta, që një anglez nuk i bënte.

Pas disa kohësh më thotë një austriak që e njihja: “Ti do të shkosh të bësh shkollën e kuzhinës dhe do të fillosh punë në kuzhinë!” “Jo”, i thashë unë, “nuk dua të bëhem i çmendur si ti.” Sepse kuzhinierët në përgjithësi janë pak si njerëz jonormalë. Kanë shumë presion. Për dy orë do të vijnë të gjithë aty, ti kalon shumë stres. Pas doktorit, profesioni tjetër më stresues është kuzhinieri. Dhe i thosha që si ti nuk do të bëhem, ose do të bëhem avokat, si çdo njeri që sheh filma Hollivudi. Çdo ditë më dhunonte psikologjikisht, në sensin për të më futur te pjesa e kuzhinës. Një ditë gjetën një shqiptar, që e kishin vrarë dhe e kishin hedhur në koshin e mbeturinave. Mori gazetën “The Sun”, e hodhi aty para meje dhe më tha: “Kështu do të përfundosh dhe ti, po nuk më dëgjove mua.”

Dhe aty thashë: “ Ky nuk është aq i çmendur sa duket.” Fillova, po bëja dhe shkollën dhe punën. Në fillim ishte një punë e lodhshme, por gradualisht pa e kuptuar, e gjeta veten në librari, duke ndenjur nga 3-4 orë duke lexuar libra. Në atë kohë nuk kishte internet, youtube e gjera të tjera, por ishin vetëm librat. Shkoja në bibliotekë, rrija 3-4 orë duke lexuar libra të ndryshëm që ishin hapur, libra kuzhine. Ose në një moment, ku isha pushim nja dy-tre ditë shkoja punoja në një restorant që ishte pa lekë. E gjeta veten, nga një urrejtje, me diçka që m’u fut në gjak. Isha i fiksuar keq. Bile një francez që kishte punuar në një restorant shumë të mirë në Francë, më tha mua: “Ti je i çmendur, ti do të bëhesh dikush, por mundohu t’i balancosh pak.” Sepse nuk kisha as shoqëri.

Shkoja punë, shtëpi. Dhe kur shkoja në shtëpi, shikoja ndonjë libër. Kurseja ndonjë lekë, pjesën që do t’ia çoja shtëpisë e blija libra. Ose shkoja haja në një restorant për të provuar shije të reja. Pra ishte një periudhë kohe, nga 2003-shi, në 2007-ën, që nuk mbaj mend gjë, nga jeta në Angli, vetëm pjesën e kuzhinës. Punoja me shumë pak lekë, doja eksperiencë. Ti e di shumë mirë si është, kur shkon në një vend, që ka një brand të fuqishëm duhet të punosh derisa të fitosh eksperiencë dhe pastaj mund të drejtosh, të jesh lider, me atë standard që ke krijuar ti. Dhe më thoshin njerëzit: “ Jo ke për të bërë shtëpinë, jo ke për t’i çuar lekë babait. Hajde këtu puno me ne në ndërtim. Jo tetë orë këtu, jo tetë orë atje.” U thashë se nuk dua. Ishte kohë jo shumë e artë, kjo te pjesa financiare. Por m’u fiksua që duhet ta bëja këtë gjë, dhe nuk e luante topi. S’kisha as mamanë, as babanë, as vëllanë aty afër që të më ndikonin më shumë se shokë e mi dhe shoqëria shqiptare që ishin dy-tre. Se dhe atje nuk merresha shumë me shoqërinë shqiptare, sepse thashë: “Ç’kuptim ka të jetosh në Londër dhe të rrish me shqiptarë?” Duke luajtur bilardo, letra. Shoqërinë që zgjodha atje ishin vetëm kuzhinierë dhe të huaj. Jo se nuk i doja shqiptarët.

Rudina Xhunga: D.m.th këtë kismetin ti nuk e ke me të thënë? E ke me të provuar. Dhe prandaj thua: “ Stop kismet! Përcakto fatin tënd!”, është diçka që e bërë ti prandaj po e thua.

Bledar Kola: Me atë eksperiencën tim. Kur shkoja për të punuar thosha kismet. Vija standarde, bëja To do list, dhe organizoja planet.
Rudina Xhunga: Pse e bëjë atë To do list?
Bledar Kola: Po, po. Normalisht koha është e shkurtër atje, intensive.
Rudina Xhunga: Mësove dhe organizimin atje, përveç kuzhinës,
Bledar Kola: Bëja organizimin edhe në shkollë, edhe në shoqëri.
Rudina Xhunga: Aty befas i gjete të gjitha, edhe paratë do të vinin. Si erdhe pastaj. Është momenti kur ti do të kthehesh. Se ka shqiptarë që thonë: “U kthye, nuk i eci!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here